Çfarë s’duhet t’i mungojë tryezës së Vitit të Ri?
Gjeli i detit historikisht është “i dënuar me vdekje” për ditët festive si ditët e Bajramit, për Krishtlindje dhe veçanërisht në natën e ndërrimit të viteve. Ai pothuajse jeton vetëm 364-365 ditë, ushqehet mirë sikur të ishte “pasha” dhe me therjen e më pas gatimin është i destinuar të jetë pjeta kryesore e festës së fundvitit sidomos për shqiptarët. Ky është fati i një gjeli të detit!
“Një tavolinë do të dukej e plotë, e ushqyeshme, tradicionalisht e bukur vetëm nëse nuk do të mungonte gjeli i detit. Pa të, festat në shtëpinë time nuk mund të më japin kënaqësinë e duhur të të ushqyerit”, - shprehet Nafie Mesiti, një amvisë nga Tirana.
Gjeli i detit i gatuar në mënyra të veçanta është pjesë e pandarë e tavolinës shqiptare në rastet e festave. Madje, të shumtat e familjeve që kanë hapësira në shtëpinë e tyre, e blejnë këtë shpend disa muaj përpara festave dhe kujdesen vetë për të për të qenë sa më i shëndetshëm.
Po pse mbetet simboli i festave një gjel deti? “Ky shpend gatuhet dhe konsiderohet si pjata më e mirë dhe më specifike për raste festash familjare që pas vitit 1912. Besoj se nuk i referohet një simbolike të veçantë dhe nuk merr ndonjë kuptim specifik, përveç faktit se ai ka një madhësi më të madhe se të gjithë shpendët e tjerë, gatuhet thjesht në një furrë druri dhe pa diskutim që merr një shije të jashtëzakonshme. Duke iu referuar kushteve në të cilën ka jetuar populli ynë, ku një furrë druri ishte i vetmi vend ku piqeshin gatime dhe në anën tjetër familjet shqiptare janë me shumë anëtarë, edhe ky shpend i përmbushte të gjitha këto kushte dhe mbetej i pëlqyeshëm”, - pohon një shef kuzhine në një nga restorantet pranë qendrës së Tiranës.
Tradita shqiptare e gatimit të gjelit të detit vjen nga Shqipëria e Mesme. Në këto vende, familje që jetojnë në zonat rurale merren me rritjen dhe më pas me tregtimin e këtij shpendi. Madje, në qytetin e Peqinit “shpendit privilegjues” i bëhen edhe konkurse të veçanta dhe gjeli i detit që del më fitimtar pas zënies me gjela të tjerë, është më i shëndetshëm dhe shitet më shtrenjtë se të gjithë gjelat e tjerë.
“Gatimi i gjelit merr një rëndësi të veçantë në Shqipëri, por ky vend nuk është i vetëm. Edhe në Turqi ky shpend preferohet po kaq shumë. Ndoshta për arsye të kushteve historike këto dy vende kanë dhënë dhe kanë marrë shumë nga njëri-tjetri, madje edhe mënyra e gatimit të këtij gjeli është e njëjtë për të dy vendet. Kjo tregon që gjeli i detit njihet, gatuhet dhe shijohet në shumë vende të botës”.
Të gjitha amvisat fillojnë dhe bëjnë përllogaritjet e para se çfarë u duhet për të gatuar për Vitin e Ri
Përgatitja e gjelit të detit:
Përbërësit:
Për 4 persona duhen:
Një gjel deti, 2-3 qepë të njoma, 50 gr gjalpë, një lugë kafeje dhjozëm të grirë, kripë, piper, një kokërr limoni, një bukë misri.
Përgatitja:
Fillimisht gjelit të detit i hiqen pendët me ujë të valuar. Më pas fillon pastrimi më i imtësishëm në brendësi të tij. Gjelin e pastruar e fërkojmë brenda dhe jashtë me kripë, piper, gjalpë dhe limon. Pas kësaj e vendosim në furrë në një temperaturë mesatare dhe e spërkasim herë pas here me lëngun e vetë. Për pjekjen e kontrollojmë herë pas here derisa ai të rezultojë i pjekur mirë. Pas pjekjes, skuqim me pak gjalpë qepën e grirë hollë, shtojmë lëngun e gjelit, dhjozëm dhe pak ujë. E lëmë derisa të marrë valë. Thërrmojmë bukën e misrit dhe e hedhim në lëng. Që të marrë aromë të këndshme e përvëlojmë me gjalpë të shkrirë. Së fundmi, përsheshin e vendosim në pjata dhe sipër i vendosim ndarjet e gjelit të detit. Përgatitja serviret e ngrohtë.
Gjel deti me oriz
Përbërësit për 4-5 persona:
Një gjel deti, 280 gr oriz, 40 gr gjalp, vaj, 200ml ujë
Përgatitja:
Në fillim e nxehim ujin në temperaturën 70 gradë. Në një enë tjetër skuqim orizin me gjalpin dhe pak vaj të zakonshëm dhe i përziejmë mirë me njëri-tjetrin. Më pas në masën e përftuar hedhim buljonin e gjelit të detit. Buljoni i gjelit të detit mund të bëhet sipas dëshirës me arra, qepë të prerë në kubikë të vegjël. Në një tavë pa vaj hedhim të gjithë produktin e krijuar, më pas e mbulojmë me letra alumini dhe e vendosim të piqet për rreth 25 minuta në temperaturën 180 gradë. Në këtë mënyrë tava është e përfunduar.
Gjeli i ndarë në feta:
Përbërësit për 4-5 persona:
Gjeli i deti i ndarë në disa feta në trajtë bërxolle, 2-3 qepë, piper të zi, pak vaj ulliri, gjalpë sipas dëshirës, 2 gjethe dafine, kripë dhe salcë
Përgatitja:
Prerja e gjelit në feta bëhet kur ai është i pazier. Më pas presim qepë në kubikë të vegjël dhe i shtojmë piper dhe e vendosim në një enë me pak ujë. Pasi e lëmë të ziejë pak, i shtojnë dhe 2 gjethe dafine për aromë, vajin e ullirit dhe gjalpin dhe i kapërdijmë. Përzierjen e ndajmë nga mishi dhe e vendosim në një enë të veçantë. Mishin e gjelit, tashmë të veçuar, e vendosim në një tepsi, i hedhim pak kripë dhe salcë (sipas dëshirës) dhe e fusim në furrë për pjekje. Kontrollojmë herë pas here pjekjen dhe pasi të sigurohemi që është gati e nxjerrim atë nga furra. Në këtë mënyrë mishin e gjelit e shoqërojmë veçmas ose e bashkojmë me përzierjen e krijuar më parë.